Inaugurimi i Klubit të Çështjeve Sociale në Dajç për fuqizimin e komunitetit
8 Dhjetor, 2023

Në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, më 5 dhjetor u inaugurua Klubi i Çështjeve Sociale në Dajç, Bashkia Shkodër.

Klubi është ngritur në ambientet e Qendrës Komunitare për Familjen dhe po shërben si një vend social për gratë dhe vajzat, të mbijetuara të dhunës me bazë gjinore, për të marrë mbështetje psikologjike dhe ligjore, si dhe për të marrë njohuri të reja dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre për më shumë mundësi punësimi.

Aktiviteti i inaugurimit u fokusua në fuqizimin e grave dhe vajzave, ndërgjegjësimin për të gjitha format e dhunës, parandalimin e saj dhe ofrimin e shërbimeve të integruara mbështetëse të kujdesit social.

Në aktivitetin e inaugurimit ishin të pranishëm pjesëmarrës të nivelit të lartë nga Delegacioni i BE-së, Bashkia Shkodër, Të ndryshëm dhe të Barabartë dhe KMOP, si dhe përfaqësues nga Njësia Administrative Dajç, biznese private, gra dhe vajza nga zona, përfshirë viktima dhunës në baza gjinore, si dhe banorët e zonës etj.

Ky aktivitet u organizua nga Bashkia Shkodër, Organizata “ Të ndryshëm dhe të Barabartë” dhe KMOP – Qendra për Veprim dhe Inovacion Social (Greqi), në kuadër të projektit të përbashkët “Të forcojmë sistemet e fuqizimit të viktimave në Shqipëri@ Shkodër ( TVESA@ Sh)”.

Projekti është pjesë e programit “Mbështetja e BE-së për Përfshirjen Sociale në Shqipëri”, i cili synon të kontribuojë në rritjen e aksesit, mbulimit dhe gjithëpërfshirjes së shërbimeve sociale dhe ofrimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe mundësive të punësimit.