RRETH NESH
Klubi i Kauzës Sociale u inagurua në datë 05 Dhjetor 2023 në kuadër të projektit “Konsolidimi i Sistemeve për Fuqizimin e Viktimave në Shqipëri @ Shkodёr (TVESA@Sh)”. Ky projekt zbatohet nga Të Ndryshëm & Të Barabartë (D&E) në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe KMOP – Qendrën për Veprim Social dhe Inovacion (Greqi) me financimin e Bashkimit Evropian në Shqipëri në kuadër të programit “Mbështetja e BE-së për Përfshirjen Sociale në Shqipëri”.
Bashkimi Evropian është i angazhuar në përmirësimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e vajzave dhe grave në Shqipëri, duke vepruar dhe parandaluar shfaqjen e përhapur të dhunës dhe diskriminimit ndaj grave dhe vajzave.
Klubi i Kauzës Sociale shërben si një pikë pritëse për të gjithë të mbijetuarat e mëparshme dhe ato aktuale, vajzat dhe gratë e zonës, si dhe është i hapur për t’i ofruar atyre mbështetje dhe mundësi për trajnime profesionale, këshillim për punë, socializim, gjenerim të ardhurash etj.
Përmes tij synojmë t’u ofrojmë viktimave shërbime të integruara të kujdesit social përmes një qasjeje të ndjeshme nga ana gjinore dhe miqësore ndaj fëmijëve, në promovimin e fuqizimit të viktimave dhe në rritjen e aftësive të tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme arsimore dhe punësimit.
Ndërsa, Alternativa e Kujdesit Pasdite për Fëmijët është një shërbim komunitar që ofron përkujdesje ndaj fëmijëve të viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje përtej orarit zyrtar të çerdheve, kopshteve dhe shkollave publike (nga e hëna në të shtunë). Qëllimi kryesor është fuqizimi ekonomik i nënave të vetme dhe riintegrimi i tyre në komunitetin ku jetojnë.